Alma Gërxhani, ortake te agjencia e marketingut Manderina Promotions rrëfen historinë e emrit të biznesit për gazetën Albanianpost.com 

 Nga Sadiola Xhelili

Një emër duhet.  Por gjetja nganjëherë mjaftohet me një çast e të tjera herë me net pa gjumë.Të jetë ky vallë? Apo ky tjetri? Apo asnjë prej tyre?

Këto janë dilemat që e mundojnë të ngarkuarin me detyrën jo të lehtë të gjetjes së emrit të biznesit.

Se, përpos emrit, duhet edhe identiteti.

Një histori, një rrugëzgjidhje

“Historia nis kështu: Unë jam një nga ortaket. Në vitin 2014, po kërkoja të hapja një agjenci marketingu sepse nuk po gjeja punë tjetër që të mund të më përshtatej.

Pasi isha bërë nënë dy herë dhe të dyja herët i humba punët, nisa të mendoja për një biznes timin dhe kërkova fillimisht për domain-in. Po kërkoja një emër fruti. E nisa kërkimin nga domain-i sepse biznesi filloi nga faqja e web-it. Domain-i i lirë që gjeta, ishte manderina.com dhe kështu e bleva atë. Parapëlqeva një emër fruti se tingëllon bukur në marketing.Pasi sigurova domain-in me emrin e frutit, i shtova atij edhe Promotions për ta bërë më të qartë atë që ofronte biznesi”.

Ky është rrëfimi i Alma Gërxhanit, një prej ortakeve të një agjencie marketingu që operon në vendin tonë të quajtur Manderina Promotions.

Ajo ka treguar për Albanian Post se gjetja dhe përzgjedhja e emrit të biznesit është tejet me rëndësi.

“Të gjithë e mbajnë mend dhe e kujtojnë një emër të bukur. Në Shqipëri nuk ka patur ndonjë traditë për emrat. Zakonisht, realizohen bashkime emrash apo vendosen emrat e fëmijëve dhe më pas këto përzgjedhje duan punë për t’u njohur nga publiku”, dallon Gërxhani.

Ndërkohë, për Kosovën, realiteti është disi më ndryshe. “Në Kosovë ka zgjedhje më të mira emrash. Janë autentike dhe të bukura”, ka veçuar ajo.

Megjithatë, Gërxhani vë në dukje se bizneseve u lind nevoja për të gjetur emra me kuptim, emra që kanë lidhje me punën që bëjnë, por gjithashtu edhe me vendin ku janë të vendosur.

Për sa i përket përzgjedhjes që vetë ajo ka bërë, ka treguar se është pritur goxha mirë dhe se shpesh ju ndodh të hasen me situata që audienca ka mbajtur mend më shumë emrin e biznesit se sa atë çka ofron ky biznes.

Gërxhani nuk ka lënë jashtë vëmendjes as rolin e simbolit apo ndryshe logos. “Edhe logoja është goditëse. Besoj se logoja dhe emri i shtojnë vlerë biznesit”, ka përmbyllur ajo.

Burimi :  Albanian Post